Memelli: Skënderbeu e Partizani pa diferenca, fitore e merituar

schedule18:19 - 7 Mars, 2021

schedule 18:19 - 7 Mars, 2021

Migen Memelli iu gëzua fitores së parë në krye të Skënderbeut dhe e bëri diçka të tillë kundër Partizanit që pretendon titullin kampion. Në kampin korçar sigurisht morali tani është shumë i lartë dhe dhanë sërish mesazhin që nuk ka asnjë duel të lehtë.

Tekniku Memelli, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, u shpreh: “Partizani ishte favorit në fillim, por ndeshja ishte përgatitur në mënyrë të tillë që të ishim të vendosur në fushë dhe të ishim të qartë në detyrat tona. Minutat sollën besim, vetëm mbajtjen e topit kishte më mirë Partizani.

Dy ditët para ndeshjes kanë qenë shumë të rëndësishme, ka pasur pezmatim. E kam mbyllur skuadrën dje dhe kemi folur për një orë. Intensiteti nuk ka qenë i duhuri në ndeshjet e mëparshme. Bëmë çdo gjë perfekt dhe e them me bindje se kam lojtarë cilësorë. Jam krenar për djemtë”.

“Këto tre pikë janë shumë të rëndësishme në aspektin moral. Nuk vodhëm asgjë sot, luajtëm sot si të barabartë. Kemi lojtarë me cilësi, nuk dua të përmend emra tani. U kam thënë lojtarëve që të shohin edhe kundërshtarët, kë kanë ata në skuadra, pa dashur të ul Partizanin”.

“Duhet të merrnim pikët aty ku duhet, me Bylisin, apo me Kastriotin. Me krutanët ishte ndeshje për t’u harruar. U kam thënë se mund të fitosh edhe kundër Partizanit, pasi nuk ka diferenca të mëdha në kampionat. Mjafton të luash me kujdes prapa dhe të sulmosh si duhet. Morëm tre pikët, të cilat na duheshin sot”.

“Zguro dhe Hakaj nuk kanë diferenca, as Idrizaj me Meksin. Nëse i vëmë në balancë të gjithë lojtarët, mendoj se do ishim të barabartë. Ata kanë cilësi të jashtëzakonshme në sulm, me Asanin dhe Çinarin. U munduam t’i eliminojmë”, tha mes të tjerash Memelli. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!