Dështimi i takimit mes presidentëve, reagime në Beograd

schedule15:59 - 7 Shtator, 2018

schedule 15:59 - 7 Shtator, 2018

Nuk kanë vonuar reagimet në Beograd pas refuzimit të presidentit Vuçiç për t’u takuar me kreun e shtetit të Kosovës Thaçi në Bruksel. Analistët e vlerësojnë këtë vendim si një goditje të rëndë për ecurinë e dialogut. 

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç është kthyer për në Beograd. Në mbrëmje pritet t’i drejtohet kombit dhe ta bëjë të ditur vendimin e tij nëse do të shkoj apo jo në Kosovë përfundimisht. Kjo situatë ka shkaktuar dyshime edhe për sigurinë e tij. Fillimisht u tha se problemi ishte Liqeni i Gazivodës dhe më pas Lugina e Preshevës.

Optimizmi i tepruar i ka dhënë fund kuptimit të çdo tentimi perëndimor, thotë Dushan Janjiç, i Forumit për marrëdhënie ndëretnike. Dialogu do të shtyhet për muaj të tërë.

Dushan Janjiç, Forumi për marrëdhënie ndëretnike, Beograd: “Kjo vë në pikëpyetje edhe përpjekjet e Berlinit dhe të gjitha qendrave të tjera se duan Ballkanin Perëndimor në Bashkimin Europian. Po të mos ishte kështu Mogherini nuk mund të kishte një vlerësim kaq të dobët dhe të drejtonte dialogun në këtë mënyrë. Kjo ka lejuar lojëra të tilla në traditën ballkanike. Kështu konflikti i ngrirë do të vazhdojë me muaj apo edhe vite”.

Ai thotë se vizita e presidenti serb në Kosovë tani nuk ka kuptim dhe mundësia e zgjedhjeve edhe në Serbi, por edhe Kosovë mund të duket si tema e ardhshme.

Dushan Janjiç: “Çfarë mund të tregojë Vuçiç tani? Që është i guximshëm apo provokator? Të tregojë se në mënyrë indirekte bashkëpunon me Thaçin? Nuk e besoj. Nuk mund të shkojë dhe të mos shpalosë tërë idetë pasi pritshmëritë janë rritur”.

Shtypi serb thotë se ende ekziston një mundësi e vogël për ta parë Vuçiç drejt Kosovës, por gjithçka është e paqartë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!