Nga Ermal Vija
Një nga të arrestuarit për atentatin ndaj Gjon Menës në Kamëz ka treguar përballe hetuesve se është kontraktuar nga Gjergj Cukali për të realizuar vrasjen. Enver Jamaku, u arrestuar bashkë me kushëririn e tij Edmond Jamaku si dhe Gjergj Cukalin.
Cukali i njohur ndryshe edhe si i forti i rrugës Myslym Shyrit pas shpërthimit me tritol të makinës në pronësi të Gjon Menës në Kamëz më 9 shkurt.
Në dëshminë e dhënë përballë hetuesve, 32-vjeçari ka treguar se Cukali i ka kërkuar të vendoste eksploziv në një automjet në Kamëz, teksa e ka siguruar se nuk do ta gjente asgjë dhe për këtë do të merrte 30 mijë euro. Sipas Jamakut, minën e telekomanduar e ka siguruar Cukali dhe e ka ndihmuar një i afërm i tij për ta instaluar.
“Gjergji e ka garantuar se nuk do kishte asnjë problem, vetëm se duhej të vendoste një minë poshtë makinës së një personi dhe këtë do e bënte në Kamëz, ku nuk kishte kamera sigurie. Gjergji i ka thënë se po ta bënte këtë pune do t’i jepte një shumë prej 30 000 euro. Sipas deklaruesit, duke qenë se ishte i papunë, por dhe me shtëpi me qira, me dëshirën për të blerë një shtëpi, ka pranuar”.
Jamaku ka treguar për hetuesit se është kontaktuar nga Cukali një natë para ngjarjes, duke i thënë se duhet ta kryente patjetër punën. Ndër të tjera i penduari i drejtësisë, thotë se Cukali e ka kërcënuar edhe me jetë duke I dhënë vetëm 3 mijë euro.
Dy kushërinjtë e zbatuan porosinë, por e shpërthyen tritolin më herët, ç’ka bëri që Gjon Mena të plagosej rëndë, por i shpëtoi atentatit. Gjergj Cukali është një emër i njohur për drejtësinë. I arrestuar për vrasje, gjobëvënie, armëmbajtje pa leje dhe ishte i arrestuar për ekzekutimin e Arben Bilalit, por u shpall i pafajshëm nga gjykata./abcnews.al