Çeshtja e Navalny, SHBA i vendos sanksione 7 zyrtarëve ruse

schedule08:22 - 3 Mars, 2021

schedule 08:22 - 3 Mars, 2021

SHBA kanë njoftuar sanksione ndaj shtatë zyrtarëve ruse të lidhur me helmimin e liderit të opozitës Alexei Navalny.

Sipas zyrtarëve amerikanë sanksionet do të synojnë shtatë zyrtarë të lartë rusë dhe 14 subjekte të përfshira në prodhimin e armëve kimike. Sanskionet konsistojnë në bllokimin e llogarive bankare dhe aktiviteteve financiare të zyrtarëve rusë në SHBA, dhe në heqjen e mundësisë që ato të udhëtojnë në SHBA.

Zyrtarët shtuan se inteligjenca amerikane ka dalë në përfundimin se pas helmimit të Navalny-t me agjentin nervin Novichok në Siberi vitin e kaluar, fshihet qeveria e Rusisë.

Navalny ndër vite ka qenë një ndër kritikët më të ashpër të Presidentit Vladimir Putin. Pasi ra në gjendje kome pas helmimit, Navalny u kurua në Gjermani derisa arriti të shërohej.

Ai u rikthye në Rusi në Janar, ku u arrestua sapo mbërriti në vendlindje. Moska, nga ana e saj e ka mohuar përfshirjen në helmimin e kryeopozitarit dhe e ka kundërshtuar përfundimin e nxjerrë nga ekspertët amerikanë të armëve.

Muajin e kaluar, një Gjykatë në Moskë vendosi dënimin prej 3 vitesh e gjysmë burg për Navalnyn, në lidhje me një proces gjyqësor të pezulluar në vitin 2014, ku Kryeopozitari akuzohej për përvetësim fondesh.

Udhëheqësit e SHBA dhe BE kanë kërkuar lirimin e tij të menjëhershëm, teksa Bashkimi Europian pritet të njoftojë sanksione të ngjashme me ato të SHBA-ve ndaj Rusisë.

Këto janë sanksionet e para të vendosura ndaj Rusisë nga administrata e Presidentit Joe Biden. Ai ka mbajtur një qëndrim më të ashpër se paraardhësi i tij Donald Trump ndaj Presidentit Putin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!