Lewis Hamilton tregoi në Çmimin e Madh të Italisë se është piloti më i mirë në Formula 1. Kampioni i botës mundi Ferrarin në shtëpinë e tij dhe u shkëput në garën për titull.
Nuk kishte shumë për të vërtetuar, por Monza sikur i vuri kapakun.
Nëse sot ka një “pinjoll” të Fangios, Senës apo Shumaherit, ky është Luis Hamiltoni.
Me një makinë jo superiore, në “gojë të ujkut” në Çmimin e Madh të Italisë, me 100.000 tifozë e më shumë kundër dhe me dy makinat Ferrari në rreshtin e parë në nisje, piloti i Mercedesit tregoi se di ta përballojë presionin më mirë se kushdo tjetër.
Fitoi një garë që u quajt e humbur, dhe u shkëput në 30 pikë epërsi në krye të Botërorit të Formula 1 ndaj Sebastian Vettelit të Ferrarit.
Gjermani e ndjeu trysninë duke gabuar që në xhiron e parë, duke u përplasur me Hamiltonin, e duke zbritur në vendin e 19-të.
Pas gare, ai u ankua (pa të drejtë) se Hamiltoni nuk i lejoi hapësirë.
Ish-kampioni i botës, Niko Rosberg, nuk e kurseu ferraristin.
“Ishte 100 për qind gabimi i Sebastianit, – u shpreh finlandezi, – Hamiltoni i la atij gjithë hapësirën e nevojshme, dhe ai nuk do të bëhet kurrë kampion bote, nëse do të vazhdojë të sillet kështu”.
Demon Hill, kampioni i vitit 1996, theksoi se “Ferrari ka një problem dhe ky problem quhet Luis Hamilton, por këtë herë ishte vetë Ferrari që bëri vetëvrasje”.
Ferrari u ankua më kot pas garës që Mercedesi e orkestroi garën e pilotëve të vet.
Kjo ishte e vërtetë, por po ashtu është e vërtetë historike se Ferrari gjithnjë i ka komanduar pilotët, në favor të numrit 1, pra nuk i takonte të akuzonte.
Skuadra italiane gaboi strategjinë që në nisje.
Nëse do të ishte urdhëruar Raikonen të lejonte Vettelin të kalonte në krye që në metrat e para, gjermani nuk do të ishte detyruar të përplasej me Hamiltonin.
Mbeten edhe 7 gara deri në fund dhe Hamilton duket më pranë titullit të 5-të, sesa Vettel, titull që do ta barazonte atë me Fangion, dhe do ta linte 2 tituj prapa Shumaherit./abcnews.al