Pasditen e sotme Shkupi u përfshi nga një protestë që përfundoi në dhunë dhe me disa arrestime dhe të lënduar. Të plagosur kishte edhe nga radhët e policisë. Shtatë policë të lënduar dhe tetë protestues të shoqëruar është bilanci i protestës për rastin “Monstra”.
Në thyerje të masave për shkak të koronavirusit, por protesta nisi paqësore. Megjithatë më pas u tensionua dhe pjesëmarrësit filluan që të gjuajnë me gurë kundër policisë duke sjellë përplasjen. Mes të lënduarve në protestën e sotme ka pasur edhe të moshuar.
Por për cfarë u protestua? Protesta u organizua nga familjarët e të dënuarve për rastin “Monstra”. Në datë 23 shkurt Gjykata Penale e Shkupit dënoi me burgim të përjetshëm shqiptarët Alil Demirin si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviç të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi.
Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe 9 vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave. Dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, Ali Demiri dhe Afrim Ismailoviç janë dënuar në mungesë, ndërsa prokurorja Fatime Fetai tha se ndodhen në Kosovë, prej nga edhe duhet të ekstradohen për vuajtjen e dënimit.
“Bëhet fjalë për vrasje monstruoze, përkatësisht marrjen e jetës apo likuidimin e fëmijëve të cilëve sapo kishin arritur moshën e pjekurisë. Të akuzuarit Alil Demiri, Afrim dhe Agim Ismailoviç shpallen fajtorë për veprën e rëndë penale terrorizëm andaj edhe në bazë të Kodin Penal për këtë akt të kryer dënohen me burgim të përjetshëm.
Të pandehurit e tjerë për veprën penale ‘Ndihmë në kryerjen e kësaj vepre’ dënohen Haki Aziri me 9 vjet burg, ndërsa Fejzi Aziri me 15 vjet burgim” deklaroi kryetari i trupit gjykues, Ognen Stavrev. Për këtë shkak sot u zhvilluan protesta në Shkup. Familjarët e shqiptarëve të dënuar duke mohuar akuzat pretendojnë se rasti është i kurdisur nga shërbimet sekrete për qëllime të klasës politike që ishte në atë kohë në pushtet./ db/ Abcnews.al