May paralajmëron: Asnjë kompromis me BE për Brexit

schedule11:33 - 2 Shtator, 2018

schedule 11:33 - 2 Shtator, 2018

Kryeministrja britanike është shprehur kundër çdo kompromisi me BE që nuk do të ishte në interesin kombëtar. Ndërsa Brukseli ka lënë afat deri në nëntor për të arritur një akord final për Breksit.

Theresa May këmbëngul se ajo nuk do të detyrohet të stërhollojë planin e saj Brexit gjatë negociatave me BE-në. Në një shkrim në “Sunday Telegraph”, kryeministrja britanike thotë se “nuk do të jetë pjesë” e kompromiseve për marrëveshjen e rëndësishme që nuk janë në “interesin kombëtar”. Por May gjithashtu paralajmëron se nuk do t’i “dorëzohet” ndaj atyre që bëjnë thirrje për një referendum të dytë mbi marrëveshjen e tërheqjes. Ajo thotë se do të ishte një “tradhti e madhe e demokracisë sonë dhe e besimit tonë”.

Marrëveshja e rëndësishme apo “Chequers (çekers)” siç cilësohet ndryshe, nënkupton që Mbretëria e Bashkuar të pranonte një “rregullore të përbashkët” me BE-në për tregtimin e mallrave, në një përpjekje për të mbajtur tregtinë pa fërkime në kufi. Por kritikët thonë se do ta linte Mbretërinë e Bashkuar të lidhur me rregullat e BE-së dhe do ta pengojë Britaninë që të bëjë marrëveshjet e saj të tregtisë në vitet që vijnë. Votimi i Popullit, një grup ndërpartiak duke përfshirë disa deputetë, po bën thirrje për një votim publik për marrëveshjen përfundimtare të Brexit.

Mbretëria e Bashkuar do të largohet përfundimisht nga BE më 29 mars të 2019-s, por ende nuk është pajtuar se si do të funksionojë lidhja e saj përfundimtare me bllokun. BE ka sugjeruar që nëntori është muaji i fundit ku mund të finalizohet marrëveshja e fundit. Nga ana tjetër qeveria e Londrës ka përjashtuar zhvillimin e një referendumi tjetër. /abcnews.al