Thaçi letër ambasadorëve: Koha për marrëveshje historike me Serbinë

schedule20:00 - 1 Shtator, 2018

schedule 20:00 - 1 Shtator, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas kundërshtimit të fortë që ka hasur nga faktori politik në vend dhe ai ndërkombëtar, kundër idesë për ndryshim te kufirit me Serbinë, duket se ka zbutur paksa qëndrimin. Tashme Thaci shprehet se kjo mund te ndodhe pas njohjes se Kosoves nga Serbia.

Në një letër drejtuar ambasadorëve të huaj në Kosovë, në valën e debatit që ka ngjallur ideja e tij për korrigjim të kufirit, presidenti Hashim Thaçi shprehet se ky ndryshim mund të ndodhë pasi Serbia të njohë formalisht Kosovën si shtet.

“Ne synojmë, me të drejtë, që përmes kësaj marrëveshjeje, përmes njohjes formale në mes të Kosovës dhe Serbisë, të na hapet mundësia që të bëhemi shtet anëtar i OKB-së, OSBE-së, Paktit NATO dhe të na ofrohet njëmend perspektiva e anëtarësimit në BE. Njohja reciproke në mes të dy shteteve, do të mund të përcillet edhe me një proces të dakorduar në mes të dy palëve për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Sipas presidentit Thaçi, një nismë e tillë për korrigjim te kufirit nuk do të shkaktojë ndonjë konflikt të ri, por do të jetë përfundim i një konflikti shumë vjeçar.

“Duhet të jem sërish shumë i qartë: Ky proces do të shënonte fundin e konfliktit të gjatë mbi një shekull në mes të Kosovës dhe Serbisë, jo fillimin e një konflikti të ri. Koha e luftërave dhe konflikteve, në mes të Kosovës dhe Serbisë, për bindjen time, ka kaluar. Por, fundi i kësaj epoke do të konstatohet vetëm kur ta bëjmë marrëveshjen e madhe politike në mes nesh dhe Beogradit”.

Thaçi garanton se kjo marrëveshje do të ruajë karakterin shumëetnik në Kosovë.

Nese  do e arrijmë marrëveshjen e synuar për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, ajo nuk do të ketë kurrfarë pasojash sa i përket karakterit shumetnik të shoqërisë kosovare dhe katalogut të të drejtave të komuniteteve pakicë në Kosovë, të garantuara me Kushtetutë dhe me ligje.

Thaçi shkruan se procesi  i kërkimit të marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bart me vete shumë rreziqe, por, sipas tij, “nuk ka rrezik më të madh për ne si Kosovë sesa të vazhdohet kështu në një gjendje pezull si shtet dhe si shoqëri”. Thaçi tha se nuk ka kohë për të humbur dhe marrëveshja historike me Serbinë duhet të arrihet në muajt e ardhshëm. Në letrën drejtuar ambasadoreve të shteteve anëtare të BE-së, KFOR-it, OSBE-së, EULEX-it dhe Ambasadës së SHBA-së, Presidenti i Kosovës i siguron ata se çdo marrëveshje do të arrihet në koordinim me përkrahësit dhe partnerët ndërkombëtarë. /abcnews.al