Në të gjithë vendin çmimet e produkteve të stinës kryesisht të fruta-perimeve janë rritur ndjeshëm karahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por në Kukës kjo gjë ndjehet shumë. Banorët nuk mund të blejnë me kilogramë, por vetëm me kokrra.
“Domatja që vjen nga Lushnja do të ishte një produkt, që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka kushtuar 50 lekë, ndërsa sot mbi domaten që vjen nga Lushnja arrin deri në 120 lekë”, raporton nga Kukësi gazetari Bujar Muçmata.
Nga konsumatorë janë bërë vëzhgues. Blejnë aq pak sa për të kaluar një vakt ushqimor.
“Qytetarët vetëm vijnë e marrin dy kokrra domate dhe ato ca i marrim me lekë, ca pa lekë. Po e sheh situatën vetë”, u shpreh një blerës.
Thonë se nuk përballojnë dot çmimet, që krahasuar me vitin e kaluar janë dyfishuar e trefishuar.
“Është tepër e vështirë. Le që nuk ka fuqi blerëse, por edhe prodhim nuk ka”, tregoi një blerës.
Tregtarët me tepër rrinë kot se sa punojnë. Shesin shumë pak. Blerës nuk ka.
“Këtu ka shumë pak prodhim duke krahasuar vitin e kaluar. Vjet u mbushte i gjithë vendi me prodhim vendi, sot nuk i sheh dy veta deri në tre”, tha një tregtar.
“Dobët, shumë dobët. Papunë s’mund të rrimë. Vallaj çmime më të ulëta nuk kanë ku me shkuar më”, tha një tregtar tjetër.
Kuksianët nuk dinë nga ta nisin ditën e si ta mbarojnë atë.
Me shumë pak të ardhura u duhet të mendojnë për nevojat e fëmijëve në nisje të shkollës, e për rezervat e dimrit që në verilindje po i jep shenjat./abcnews.al