Manastirliu: Sot vijnë 8 190 doza vaksinash nga kontrata me Pfizer

schedule12:29 - 22 Shkurt, 2021

schedule 12:29 - 22 Shkurt, 2021

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se ditën e sotme do të vijnë në Shqipëri 8190 doza të tjera nga marrëveshja që vendi jonë ka me Pfizer. Ajo tha se deri më tani në vend kanë mbërritur mbi 8000 doza nga po e njëjta marrëveshje.

“Virusi sot një vit më parë ishte thjeshtë një lajm nga bota. Kjo ishte një krizë që e vuri në test sistemin tonë shëndetësor. Bota sot është e ndarë në dy kategori shtetesh, Ata që e kanë nisur fushatën e vaksinimit dhe ata që nuk kanë siguruar asnjë dozë vaksinë.

 Janë 140 vende që nuk e kanë nisur ende vaksinimin. Ne jemi ndër vendet që e kemi nisur vaksinimin.Shqipërisë i është dashur të bëjë një kontratë me Pfizer. Kanë mbërritur mbi 8000 doza deri tani dhe pritet lëvrimi i 8190 dozave të tjera sot”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë foli për kategoritë e të vaksinuarve në vend: “Sot ne kemi mbi 4600 jetë mjekësh, infermierësh e stafesh spitalesh më të mbrojtur, për shkak të vaksinimit. Sot kemi mbi 400 jetë të moshuarish në azile, të moshuarish mbi 80 vjeç dhe kujdestarësh, më të mbrojtura për shkak të fillimit të vaksinimit. Më lejoni gjithashtu të shpreh dhe keqardhjen më të thellë për dezinformimin që ushqeu më tej disa reagime të pajustifikueshme njerëzish publikë për vaksinimin e disa qytetarëve që ishin pjesë e këtij grupi të parë, pikë së pari se ishin mbi 80 vjeç.

Vërtet janë personalitete që i bëjnë nder këtij vendi dhe shoqërisë tonë, por ama kriteri dhe vetëm kriteri i moshës u mundësoi të ishin pjesë e një procesi që filloi me të moshuarit në azile. Do të vijojë dhe me +80 vjeçarë të tjerë, sipas planit për çdo fashë të grupmoshës mbi 80 vjeç”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë./mv.abcnews.al