Përfundon rikonstruksioni dhe zgjerimi i shkollës “Dora D’istria”

schedule14:15 - 30 Gusht, 2018

schedule 14:15 - 30 Gusht, 2018

Rikonstruksioni dhe zgjerimi i shkollës nëntë vjeçare “Dora D’Istria” në Tiranë ka përfunduar. Sipas kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj në këtë shkollë këtë vit nuk do të zhvillohet mësim me dy turne.

Në shtator, nxënësit e shkollës nëntë vjeçare “Dora D’Istria” në Tirane do ta nisin mësimin në klasa të reja, me kushte më të mira dhe hapësira të zgjeruara. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj kthehet në shkollën e tij për të parë përfundimin e punimeve të kryera ndërkohë kujton vitet e shkuara.

“Kjo është një nga hapësirat ku unë kam kaluar një pjesë të jetës sime, nga klasa e pestë në klasën e nëntë. Jo vetëm unë, edhe disa miq e kolegë të tjerë si Olta Xhaçka, ministre e Mbrojtjes, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Kemi pasur një mësuese të mrekullueshme kujdestare, Polikseni Ndrenikën. Gjithë kjo mëhallë në Njësinë 10 ka qenë epiqendra e formimit tonë, ndaj ndihem shumë mirë sot që rikthehem në këtë shkollë, pas rindërtimit të shkollës “Kosova”. Kënaqësia është e jashtëzakonshme, kur ke mundësi të rikthehesh e të bësh diçka për vendet ku je formuar si njeri”.

Me shtimin e mjediseve të reja në shkollën “Dora D’Istria” sipas kryebashkiakut merr fund zhvillimi i mësimit me dy turne.

“Në kohën time shkolla ka qenë me turne, pra i bie në mesin e viteve ‘90. Më vjen mirë që, pas 20 e ca vitesh, shkolla shpëton nga mësimi me dy turne dhe fjala dy turne nuk do jetë më në fjalorin e ish-shkollës “20 Vjetori”, sot “Dora d’Istria”. Kemi shtuar 12 klasa, pra është shtuar një krah i plotë i shkollës, është rikuperuar një pjesë e degraduar për aktivitete terreni sportive, është riparuar palestra, kemi futur sistemin e ngrohjes me një dhomë teknike dhe pajisjet për sigurinë e nevojshme”.

Kryetari i bashkisë i bëri thirrje prindërve t’i regjistrojnë fëmijët në shkollat më të afërta, ndërsa tha se kushtet dhe standardet e mësimdhënies që ofrojnë janë të njëjta. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!