Barcelona sezonin e kaluar pas 12 vitesh pa ndodhur kjo gjë, e mbylli sezonin pa fituar asnjë trofe, teksa kulmin e arriti në atë humbje ndaj Bayern me shifrat turpëruese 2-8. Ndërkohë telasheve në fushë iu shtuan edhe ato në financa.
Klubi është në kolaps financiar, por nga ajo që raporton Mundo Deportivo, katalanasit kishin mundësinë të rregullonin bilancet në verë me shitjen e tre talenteve të skuadrës, mes të cilëve vetëm njëri qe konfirmuar në arenën e madhe.
Mësohet se Barcelona ka refuzuar 250 milionë euro për Pedri, Trincao dhe Ansu Fati. Për këtë të fundit ishte Manchester United, që ofroi 150 milionë euro, por në fund Barcelona e mbajti pa u menduar dy herë.
Ndërkohë, Pedri, që këtë sezon është shndërruar në një nga talentet më premtues në glob, ishte shënjestër e Bayern Munchen. Për fantazistin Barça pagoi vetëm 7.2 milionë euro, por Bayern ishte gati të paguante 40 milionë euro për kartonin e tij.
Në shënjestër të klubeve të tjera ishte edhe Trincao, që iu bashkua Barcelonës në verë nga Braga. Për luzitanin mësohet se agjenti Jorge Mendes i ka dhënë Barcelonës një cek prej 60 milionë eurosh për ta blerë, teksa Barcelona e mori 30 milionë. Të gjitha këto propozime u refuzuan. /abcnews.al