Presidenti rus është detyruar të lehtësojë reformën e tij për pensionet. Për shkak të kundërshtimeve të forta, Putin ka tërhequr planin për rritjen e moshës së daljes në pension, por këtë e ka bërë vetëm për punëtoret femra.
Presidenti rus Vladimir Putin ka zbutur ndryshimet e planifikuara të pensioneve pas protestave të zemëruara dhe një rënie të popullaritetit. Ai tha se mosha e daljes në pension për gratë do të rritet nga 55 në 60 vjeç në vend të 63 vjeç nga sa ishte përcaktuar më herët. Megjithatë një rritje pesëvjeçare për burrat, në 65 vjeç, do të qëndronte në fuqi. Putin tha se popullsia në moshë pune në vend ishte duke u pakësuar, duke e bërë ndryshimin thelbësor. Sindikatat kanë paralajmëruar se shumë prej tyre nuk do të jetojnë aq gjatë sa të kërkojnë pension.
Burrat rusë kanë një jetëgjatësi prej 66 vjetësh, ndërsa për gratë është 77 vjeç, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë. Çështja ka bërë që mbështetja për Putin të bjerë në 64% nga 80%, sipas një sondazhi shtetëror. Shefi i Kremlinit tha se masa për të rritur moshën e daljes në pension për burrat dhe gratë ishte vonuar për vite me rradhë dhe rrezikoi duke shkaktuar inflacion dhe duke rritur varfërinë. Shtyrja e tij më tej do të kërcënonte stabilitetin dhe sigurinë e shoqërisë ruse, tha ai.
“Tendencat që shohim sot në fushën e produktivitetit të fuqisë punëtore dhe të demografisë nënkuptojnë se nuk ka kohë për të humbur,” tha Putin. “Vendimet tona duhet të jenë të drejta dhe të balancuara,” shtoi ai. Deri në adresimin e tij televiziv, ishte përpjekur të largohej nga polemikat dhe kishte premtuar në të kaluarën se mosha e pensionit nuk do të ngrihej kurrë në qeverisjen e tij. /abcnews.al