Seria A është një nga kampionatet më të bukur të Europës në këtë fillim sezoni. Kjo u pa edhe në ndeshjen mes Romës dhe Atalantës.
Janë këta të dy që duhet të falenderohen.
Trajnerët Di Francesko e Gasperini, padyshim kanë meritën kryesore që një ndeshje e madhe u luajt në stadiumin “Olimpiko” të kryeqytetit të Italisë.
Pas sfidave Napoli-Milan apo Inter-Torino, ja edhe një tjetër që hedh poshtë pretendimin e trajnerit të Çelsit, Maurizio Sarri, se në kampionatin italian takimet marrin fund sapo rezultati shkon 2-0.
Spektakli mes Romës dhe Atalantës përfundoi 3-3, në një duel me emocione të mëdha dhe me përmbysje.
Vendasit e nisën më mirë dhe kaluan të parët në epërsi me rrjetën shumë të bukur të Javier Pastores, por sa më shumë kalonin minutat, aq më shumë ndryshonte situata në fushë.
Miqtë nga Bergamo, për të cilët portieri i kombëtares shqiptare Etrit Berisha ishte në stol, nuk u tronditën aspak, por reaguan fort. Shënuan tre gola njërin pas tjetrit duke qenë në buzë të fitores.
Timoti Kastanje barazoi, ndërsa Emiliano Rigoni ishte autor i dy rrjetave të tjera. Roma arriti të shpëtonte veten në pjesën e dytë edhe pse vetëm me një barazim, falë hyrjes në fushë të N’zonzit e Klajvertit.
Përse kryeqytetasit, të menduar si pretendentë seriozë për titull, nuk u shfaqën siç pritej? Me shumë mundësi, Atalanta është shumë më përpara me përgatitjen, sepse e ka nisur sezonin shumë më herët në Ligën e Europës.
Po ashtu, Roma u trondit jo pak nga largimi i një veterani si holandezi Strotman, për tek Marseja. Gjithsesi, nuk është turp të barazosh me Atalantën, aq më shumë pas një futbolli të tillë./abcnews.al