Tre humbje në tre ndeshjet e fundit në kampionat, Liverpool po kalon një moment të vështirë. Kapiteni i kampionëve të Anglisë, Jordan Henderson karikon shokët e skuadrës përpara duelit të parë të raundit të 1/8 të Champions League.
“The Reds” do të luajnë jashtë fushe sfidën e parë me Leipzig, kundërshtar të cilin e vlerëson shumë mesfushori anglez. 30-vjeçari jep një koment edhe rreth zërave të largimit të Jurgen Klopp, duke qetësuar tifozët e shumtë të Liverpool.
“Nesër na pret një tjetër sfidë dhe një tjetër shans për të bërë mirë. Duhet të japim 100% dhe jemi gati për të dhënë gjithçka nga vetja. Duam të marrim një rezultat pozitiv kundër një kundërshtari të nivelit të lartë.
Leipzig ka lojtar të shkëlqyer dhe një trajner tepër të aftë, këtë e dinë të gjithë. Vijmë nga tre humbje radhazi dhe duam të lëmë pas krahëve këtë moment. E kemi kualitetin për t’a bërë.
Klopp larg Liverpool? Nuk e besoj se ekziston nevoja të komentoj një thashethem të tillë. Dikush ka vendosur të fshihet pas një tastiere dhe ka nxjerrë lajme rreth trajnerit dhe lojtarëve tanë, diçka absolutisht e pavërtetë“, deklaron Henderson. /abcnews.al