Eros Grezda mund të luajë që këtë fundjavë në kampionatin skocez. Lojtari i kombëtares shqiptare, do të jetë pjesë e Gllazgou Rejnxhërsit, në krah të legjendës së Liverpulit, Stiven Xherrard.
Nga Kroacia në Skoci. Eros Grezda, njëri nga lojtarët më të mirë të kombëtares shqiptare, do të ndryshojë ekip, dhe do të shkojë në një nga emrat më të shquar të futbollit europian, Gllazgou Rejnxhërs. Njëzeteca vjet pasi Rudi Vata veshi fanelën e Sëlltikut, këtë herë do të jetë një shqiptar i Kosovës që që do të krijojë një derbi në distancë.
Mediat britanike njoftojnë se Grezda ka qenë në Gllazgou dhe ka kaluar vizitat mjekësore, madje shkruajnë se ai mund të debutojë në ligën skoceze që këtë fundjavë. Nuk do të kishte pagëzim më të mirë pasi do të ndodhte në derbin Sëlltik-Rejnxhërs. Lojtari 23-vjeçar i krahut do të ketë mundësi të punojë me ish-legjendën e Liverpulit, Stiven Xherrard, që është sot trajner i Rejnxhërsit. Djaloshi nga Gjakova po ngjit një nga një shkallët e karrierës, duke kaluar me sukses provat në Kroaci, me Lokomotivën e Zagrebit dhe Osijekun, për të shkuar në stadiumin “Ajbroks Park”.
Kartoni i tij besohet se do të paguhet rreth 2.3 milionë euro. Shpresohet që Grezda të stabilizohet dhe të luajë me minutazh të lartë në Skoci, në mënyrë që të vazhdojë me formën shumë të mirë që po kalon kohët e fundit në ekipin kombëtar./abcnews.al