Thyen masat anti-covid, gjobiten 2673 persona gjatë fundjavës

schedule15:08 - 15 Shkurt, 2021

schedule 15:08 - 15 Shkurt, 2021

2637 persona janë gjobitur gjatë fundjavës për shkak se thyen masat anti-covid.

Sipas policisë 6 administratorë subjektesh janë gjobitur me masë administrative 1.000.000 lekë, pasi kanë ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë

Informacion-Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anti-covid.

Gjatë fundjavës janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 2673 shtetas që nuk kanë zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, 2594 prej tyre për mosvendosjen e maskës mbrojtëse.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave anti-covid.

Gjatë fundjavës, Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 2263 shtetas, për mosvendosjen e maskave mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me masë administrative 331 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse, si dhe kanë ndëshkuar me pezullim të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, 63 drejtues mjetesh që qarkullonin pa autorizimin përkatës pas orës 20:00.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 17 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit janë ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë dhe janë lënë të lirë.

Janë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, 6 administratorë subjektesh që janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 73 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00, pa ndonjë arsye të domosdoshme

Në zbatim të masave anti-covid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!