Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Fshihen mbi 91 milionë euro gjoba/ Tatimet: Nga falja, përfituan mbi 105 mijë biznese

schedule13:50 - 19 Qershor, 2026

schedule 13:50 - 19 Qershor, 2026

105 mijë e 409 tatimpagues kanë përfituar nga fshirja automatike e gjobave 10 vite të vjetra. Administrata Tatimore ka njoftuar se ka përfunduar me sukses procesin e fshirjes pa kushte të detyrimeve tatimore të papaguara, duke shuar detyrime në vlerën prej 91.6 milionë euro.

Këto borxhe kanë qenë të krijuara: 70.5 milionë euro nga gjoba administrative të vendosura nga inspektorët tatimorë për detyrime të papaguara që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2014, për 13,667 tatimpagues përfitues.

Ndërsa 21.1 milionë euro rezultojnë si gjoba të tjera administrative, përfshirë gjobat për dorëzim të vonuar të deklaratave, që lidhen me periudha tatimore deri më 31 dhjetor 2024, por me kusht kryesor që deklaratat përkatëse të kenë statusin “e dorëzuar”. Nga kjo kategori kanë përfituar mbi 96 mijë tatimpagues.



Po ashtu, sipas Administratës Tatimore, për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 2015–2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë fshirjen e 50% të principalit dhe fshirjen e plotë të gjobave dhe kamatëvonesave, në rast se 50% e mbetur paguhet njëherësh deri më 30 qershor.

Të gjithë ata individë që kanë paqartësi ose kërkojnë informacion shtesë lidhur me zbatimin e ligjit të faljes, u është vënë në dispozicion një adresë elektronike, ndërsa 30 qershori mbetet afati përfundimtar për të përfituar nga lehtësitë e mbetura që ofron kjo skemë.

Ligji për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore është nisma më e gjerë e faljes fiskale e ndërmarrë në Shqipëri ndër vite. Qëllimi është të pastrojë sistemin tatimor nga detyrime të akumuluara prej më shumë se një dekade, të cilat në praktikë janë bërë të pamundura për t’u mbledhur.

Ligji hyri në fuqi më 1 janar 2026 dhe do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2026./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!