Në futboll sheh shumë gjëra. Kemi parë lojtarë të zihen për të gjuajtur penalltitë, kemi parë edhe nga ata që e kanë humbur kur vendimi i arbitrit ishte i gabuar. Në rastin e dytë duartrokitjet nuk kanë munguar. Episode të ngjashme, apo disi më ndryshe kanë ndodhur edhe në futbollin shqiptar.
Luhej në Laç, aty ku shumica e skuadrave dilnin të mposhtura. Bëhet fjalë përballjen mes vendasve dhe Partizanit, më 9 dhjetor të vitit 1995. Kurbinasit triumfonin me rezultatin 3-0, me dy gola të Artan Çiçikut dhe një të Alfred Mjedës.
Rezultati nuk është ai që të intrigon, por ajo që ka bërë një legjendë e futbollit tonë, Perlat Musta. Ish-portieri i “Demave” dhe i kombëtares shqiptare, në shenjë proteste ndaj gjykimit, ekzekutonte një penallti dhe e çonte në anësore.
Ajo histori tregohej para katër vitesh nga sulmuesi i Laçit, Artan Çiçiku, në një interviste për gazetën “Sport Ekspres” në prag të një dueli mes kurbinasve dhe Partizanit. Kur i kujtohej fitorja e vitit 1995, ish-futbollisti kryeqytetas rrëfente:
“Kam nostalgji shumë për Laçin. Ka qenë ditë me shi. Mos gaboj ka qenë ndeshja e fundit e Perlat Mustës. Pasi shkoi 3-0 arbitri dha një penallti. E gjuajti Perlati nga inati jashtë vijës anësore nga pankinat dhe mori karton për sjellje të pandershme në lojë.
Mbaj mend atë vit kemi rrahur dhe Flamurtarin e madh, 4-1 ose 4-0, nuk më kujtohet mirë. Edhe Partizani vinte me emra të mëdhenj, por në fushën e lojës në Laç bëheshin të vegjël. Sabah Mici më jepte forcë e gjak në fushën e lojës. Nuk kam parë lojtar me zemër aq të madhe sa ai”. /abcnews.al