Përurohet kompleksi sportiv “Football Republic” në Barbas të Petrelës

schedule13:58 - 27 Gusht, 2018

schedule 13:58 - 27 Gusht, 2018

“Football Republic” është kompleksi i ri sportiv që u çel në fshatin Barbas të  Petrelës. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj e cilësoi si një investim që do të nxisë të rinjtë të merren me sport.

Të apasionuarit pas futbollit dhe sporteve të tjera, profesionistë apo amatorë, në Barbas të Petrelës tashme kane nje hapësirë moderne sportive, për të luajtur apo stërvitje. “Football Republic”, me tre fusha futbolli dhe kapacitet për 1000 persona është kompleksi më i ri sportiv. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nxiti të rinjtë të merren me sport.

“Duam të forcojmë jo vetëm aftësinë për të luajtur, por edhe për të ndërtuar karakter tek fëmijët tanë, për t’u thënë se gjërat bëhen më mirë në skuadër. Asnjë nuk bën dot gol i vetëm, nëse dikush tjetër nuk ia pason topin; asnjë nuk ngrihet dot i vetëm, nëse dikush nuk i jep dorën. Jam shpresëplotë se në këtë fushë nuk do të trajnojmë vetëm futbollistë, por qytetarët e ardhshëm dinjitozë të qytetit të Tiranës. Një qytet ku të rinjtë merren me sport, që largohen nga pikat e basteve, nga lotot, kazinotë, është një qytet më i mirë. Kjo është hera e parë në 28 vitet e fundit, kur janë mbyllur më shumë pika bastesh dhe janë hapur më shumë terrene sportive”.

Kryabashkiaku Veliaj theksoi se ngritja e kësaj akademie do të sjellë zhvillim për zonën dhe do ta bëjë atë një pikë tjetër tërheqëse për t’u vizituar.

 “Jam shumë i lumtur që Redi Jupi dhe “Futboll Republic” sjellin një pol të ri në Petrelë, pasi kemi punuar me kalanë e Petrelës, me muret ilire dhe me një qendër argëtimi. Pasja e 4-5 stacioneve në Petrelë e kthen atë në një destinacion turistik”.

Investimi do të zgjerohet në vazhdim me një palestër, qendër fizioterapie, kamp veror, shkollë, 3 fusha minifutbolli, një fushë tenisi dhe një pishinë gjysmë olimpike. Ndërkohë kryebashkiaku siguroi banorët e zonës se shumë shpejt do të nisë edhe rruga që do të lidhë autostradën Tiranë-Elbasan, pikërisht me fshatrat dhe zonën ku është ngritur akademia.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!