“Edhe xhungla nuk është kështu. Këtu as ambulanca nuk hyn. Po ku do shkojë ku do mbytet. Të sëmurët i nxjerrim nga soda si Magelani”, kështu e përshkruajnë rrugën që u kalon pranë shtëpive, banorët e lagjes 24 “Maji” në Vlorë.
E ndodhur në periferi të qytetit bregdetar 500 familje çdo dimër përballen me këtë situatë.
Gropat janë në të gjithë gjatësinë e rrugës. Në pjesë të ndryshme kalimi është gati i pamundur, ndërsa mjetet duhet të kenë shumë kujdes.
Bëhet fjalë për një segment rrugor jo më shumë se 650 metra për të cilin nuk është investuar asnjëherë. Vetëm 6 vite më parë është bërë një trotuar i vogël i cili është dëmtuar aktualisht.
Edhe për atë janë të pakënaqur.
“Edhe për këtë që u dha njëfarë gëzimi, u morën paratë dhe ja si është”, u shpreh një banor.
Banorët thonë se detyrimet nuk i kanë lënë asnjëherë papaguar.
“Taksat tona paguhen muaj për muaj. Ne nuk kemi as pastrim, as ndriçim, as rrugë dhe asgjë”, thotë ai.
Nuk iu intereson partia, por duan investime.
“Të jetë ç’të dojë edhe kriminal të jetë mjafton të më bëjë rrugën”, tha një tjetër banor.
Banorët thanë se në këtë zone nuk është investuar prej 25 vitesh.
/abcnews.al/