Thaçi: Duhet korrigjim kufijsh, Vuçiç: i gatshëm për marrëveshje

schedule11:54 - 26 Gusht, 2018

schedule 11:54 - 26 Gusht, 2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë takuar në sajë të forumit Evropian në Alpbach të Austrisë. Në këtë takim i pranishëm ishte dhe Komisioneri Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn dhe kryeministri i qeverisë së Vienës, Sebastian Kurz. Pas bisedës, pjesëmarrësit në forum dolën në një konferencë për shtyp. I pari që mori fjalën ishte Presidenti i vendit organizator, Van Der Bellen, i cili nënvizoi se Austria ka në fokus të presidencës së saj të BE-së zgjerimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa kreu i shtetit të Kosovës, foli përsëri për çështjen të cilën po e mbështet prej disa kohësh, atë të korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: “Kemi hyrë në fazën e fundit të procesit dhe na nevojitet mbështetje nga BE, SHBA dhe nga pjesa tjetër e komunitetit ndërkombëtar në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje pajtimi me Kosovës dhe Serbisë. Pa këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia do ta bllokojnë njëra-tjetrën drejt procesit dhe përparimit në rrugën e BE-së. Mosarritja e kësaj marrëveshje paraqet rreziqe të mëdha, por të mirat e arritjes janë shumë më të mëdha. Prandaj, dua të risigurojë fqinjët tanë që të mos kenë frikë nga një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe nëse një marrëveshje e tillë implikon një korrigjim kufijsh. Kosova dhe Seria nuk do të jenë të parat as të fundit që do të bëjnë korrigjim kufijsh për të arritur paqe”.

Ndërsa, presidenti Vuçiç, theksoi rëndësinë e zgjidhje së konfliktit shumë-vjeçar me Kosovën.

Aleksandër Vuçiç, Presidenti i Serbisë: “Ne duhet të zgjidhim problemet tona me shqiptarët, për hir të serbëve, për hir të shqiptarëve dhe për hir të gjithë rajonit. Sepse serbët e shqiptarët janë bindshëm popujt më të mëdhenj në rajon. Nuk jam i sigurt nëse njerëzit në Serbi do të mbështesin ndonjë marrëveshje, por ne do të bëjmë më të mirën për të zgjidhur problemin qindravjeçar. Zgjidhja do të jetë e dhimbshme për të dyja vendet, por kjo do të thotë që në të dyja anët do të ketë sadopak kënaqësi gjithashtu. Pranimi i Pavarësisë së Kosovës dhe mosfitimi i asgjëje nuk do të ndodhë”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!