Presidenti, Hashim Thaçi, ka thënë dje në Forumin Evropian Alpbach në Austri, se Kosova është e vendosur që ta arrijë një marrëveshje me Serbinë, dhe tha se përfshirja e korrigjimit të kufijve në këtë marrëveshje nuk duhet t’i frikësojë apo të kundërshtohet nga vendet tjera, njofton Klan Kosova.
“Ne të gjithë pajtohemi që sa më shumë përparon rajoni drejt cakut për anëtarësim në BE, aq më mirë është për të gjithë ne, sepse thjesht nënkupton më shumë stabilitet, paqe, bashkëpunim rajonal, më shumë investime të huaja, dhe jetë të të mira për qytetarët tanë”, ka thënë ai në Austri, në kuadër të Forumit Evropian Alpbach.
“Andaj, politikat tona të mirë-implementuara për zgjerim kanë potencialin ta bëjnë vetë BE-në më të fuqishme dhe më kohezive”.
Ai tha se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë hapa të harmonizuar drejt anëtarësimit në BE.
“Të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor jemi të përkushtuar në implementimin e plotë të reformave politike dhe ekonomike dhe t’i harmonizojmë ligjet tona, përfshirë reformat ekonomike, përforcimin e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik”.
Ai foli në kuadër të një paneli të përbërë po ashtu nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, nga homologu i tij slloven, Borut Pahor, si dhe nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ku për temë ishin perspektivat e reja për zgjerimin e BE-së.
Thaçi tha se vendet e rajonit janë në nivel të ngjashëm të sfidave por edhe të zhvillimeve, duke përmendur si shembuj zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, reformat në sundimin e ligjit në Shqipëri, si dhe ratifikimin e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
“Tani edhe zyrtarisht kemi lansuar fazën finale të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga përfaqësuesja e lartë e BE-së Federica Mogherini”, ka thënë ai.
“Më lejoni të theksoj që Kosova është e vendosur që ta arrijë marrëveshjen e obligueshme me Serbinë dhe është koha që ta bëjmë këtë tani”.
“Kemi një dritare të shkurtër të mundësive dhe nuk është fare e lehtë”, tha Thaçi duke kërkuar ndihmë nga të gjitha vendet tjera.
“Sidoqoftë, duhet ta pranojmë që kontesti në të cilin po punon rajoni ynë drejt integrimit në BE nuk është i lehtë”.
“Nuk është vetëm çështje e ndërtimit të konsensusit të brendshëm në këtë marrëveshje, por na duhet përkrahje nga të gjithë ata që duan ta shohin Ballkanin Perëndimor në BE”.
“Kam vullnetin që ta bëj këtë dhe po punoj fort që ta arrij këtë cak”, shtoi mes tjerash ai, duke shprehur gatishmërinë që ta eksplorojnë secilin opsion të mundshëm.
Ai përmendi korrigjimin e kufijve si përpjekje për ta arritur këtë marrëveshje.
“Kemi vendosur që ta diskutojmë secilin opsion të mundshëm dhe nga perspektiva ime, përfshirë edhe korrigjimin e kufijve, në mënyrë që të bëjmë përpjekje në arritjen e marrëveshjes”.
Thaçi bëri thirrje që vendet tjera të mos frikësohen për një marrëveshje potenciale mes Kosovës dhe Serbisë që do ta përfshinte korrigjimin e kufijve, duke thënë se Kosova do të mbetet shtet multi-etnik dhe do t’i ruajë standardet e larta sa i përket mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve.
“Vendet e rajonit tonë, shtetet anëtare të BE-së, ose vendet tjera të botës nuk duhet ta kundërshtojnë apo të frikësohen nga një marrëveshje potenciale e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë do ta përfshinte korrigjimin e kufijve”.
Ai përfundoi fjalimin e tij duke thënë se kjo marrëveshje mund ta japë kontributin më të madh sa i përket zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.
“Ndoshta kjo marrëveshje potenciale paqeje është kontributi më i madh në agjendën e BE-së të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, ka përfunduar Thaçi. /Klan Kosova