Ministri i Jashtëm i Shqipërisë reagon për herë të parë lidhur me debatin për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi. Në një intervistë për një gazetë shqiptare, Ditmir Bushati shprehet se Tirana mbështet vijimin e dialogut dypalësh që respekton tërësinë territoriale të Kosovës dhe të drejtat e shqiptarëve në Preshevë.
Për herë të parë qeveria dhe politika shqiptare kanë folur lidhur me idenë e debatuar gjerësisht të presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, për një korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë. Heshtjen e Tiranës zyrëtare e theu ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati gjatë një interviste për të përditshmen “Panorama”. Me një gjuhë diplomatike ministri i Jashtëm ka folur për statusin e Kosovës si një çështje të mbyllur për Shqipërinë dhe aleatët e saj, duke përcaktuar se sipas tij rajoni duhet të mbështetet tek ato parime që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik.
Statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh, sipas Bushatit, pasi kjo do ta bënte objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në konflikte te ngrira, gjë e cila do t’i jepte mundësi depërtimi aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon. Bushati në përgjigjen e tij citon edhe ato që quhen “parimet udhësuese” të OKB-së ku parashtrohet se Kosova nuk mund të kthehet në gjendjen e para vitit 1999 dhe nuk mund të ketë ndarje apo bashkim me ndonjë vend tjetër”. Sovraniteti i Kosovës është konfirmuar në parimet bazë të Planit Ahtisaari, thekson Bushati, dhe ky sovranitet i mishëruar edhe në Kushtetutën e Kosovës nuk do të mund të tjetërsohet përmes një marrëveshjeje të re.
Ministri për punët e jashtme theksoi se Shqipëria inkurajon vijimin e procesit të dialogut dhe arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të respektojë tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit dhe karakterin e tij multietnik, por njëkohësisht edhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës sipas detyrimeve që ka Serbia në përputhje me normat ndërkombëtare dhe të drejtën europiane./abcnews.al