Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur sot që të lirojë nga qelia infermieren Ronida Hysi. Togat e zeza kanë caktuar për të masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ky vendim është marrë pasi 30 vjeçarja ka një fëmijë të mitur, 2 vjeç. Hysi u denoncua në emisionin “Stop” pasi i ka vjedhur portofolin një pacienti duke i marrë një shumë prej 80 mijë lekësh.
Kujtojmë se dy ditë pas futjes në intubim, pacienti Kamber D. ndërroi jetë, ndërsa kur tërhoqën trupin dhe panë sendet personale, familjarët kuptuan se atij i mungonin 10 000 lekë si edhe karta e debitit në portofol.
Lexo edhe: I mori paratë pacientit me Covid, avokati i infermieres së Infektivit: Portofolin nuk e vodhi, e gjeti
Pas denoncimit, prokuroria filloi hetimet duke zbuluar përmes kamerave të sigurisë së bankomateve ku infermierja kishte tërhequr lekët identitetin e personit të dyshuar se kishte kryer këtë akt. Abcnews.al ka siguruar dosjen e prokurorisë ku shpjegohet me detaje se si vijoi hetimi deri në zbulimin e infermieres që i kishte zbrazur llogarinë pacientit që ndërroi jetë nga koronavirusi.
Sipas dosjes hetimore, kamerat e sigurisë të një bankomati në QSUT kanë kapur në orën 08:00 të mëngjesit të datës 25 dhjetor “një vajzë me flokë të kapura, që kishte probleme me të ecurën në këmbën e majtë që kishte kryer veprime me kartën e pacientit Kamber D.”.
Pas kësaj, prokurorët kanë administruar pamjet e kamerave të sigurisë së Infektivit ku në orën 07:53 duket duke dalë nga ambientet e spitalit e njëjta vajzë që është parë 7 minuta më vonë tek bankomati në QSUT.
Pasi kanë bërë krahasimet dhe kanë marrë regjistrimin e personave që ishin në shërbim në turnin e tretë tek Infektivi gjatë natës së datës 24 dhjetor, prokurorët kanë konstatuar se e dyshuara ishte pikërisht Ronida Hysi.
Në dosje shkruhet se kur është marrë në pyetje, Ronida Hysi nuk ka mohuar përdorimin e kartës së pacientit duke thënë se portofolin e kishte gjetur në ashensorin e repartit Infektiv gjatë punës ku aty brenda ishte edhe kodi PIN.
“E gjeti, nuk e vodhi” ka qenë edhe thelbi i mbrojtjes së Ronida Hysit nga avokati i saj në gjykatë. sb/abcnews.al/