Clattenburg: Kërcënohemi gjithmonë, Oliver ndërroi shtëpi pas Real-Juve

schedule19:19 - 9 Shkurt, 2021

schedule 19:19 - 9 Shkurt, 2021

Në Angli janë kundër VAR-it dhe përdorimi i teknologjisë ka krijuar polemika të shumta. Mike Dyan ndëshkoi me karton të kuq Soucek në sfidën Fulham-West Ham. “Çekiçët” mbetën me dhjetë lojtarë pas daljes së pamerituar me karton të kuq të çekut.

Edhe pse arbitri Mike Dean pa pamjet në VAR, ai vendosi t’i tregonte të kuqin mesfushorit 25-vjeçar. Një veprim që i ka kushtuar arbitrit të njohur anglez, i cili po përballet me kritika të mëdha nga tifozët, teksa nuk kanë munguar as kërcënimet me jetë ndaj familjes së tij.

Federata vendosi që Dean të mos arbitrojë këtë javë. Në mbrojtje i ka dalë pikërisht Soucek, i cili nuk është dakord me valën e kritikave ndaj arbitrit. “Çfarëdo lloj vendimi që merret në fushë, duhet të mbesë në fushë. Nuk më pëlqen të dëgjoj kërcënimet ndaj gjyqtarit Dean dhe i jap mbështetjen time të plotë atij dhe familjes.

Nuk ka pse të ndodhë një abuzim i tillë. Ai vendim i përket të shkuarës“, deklaroi lojtari i West Ham. Në këtë temë është përfshirë edhe Mark Clattenburg, ish-arbitri anglez. Ky i fundit, me anë të një letre të publikuar në Daily Mail, zbulon problemet dhe ofendimet me të cilat përballen arbitrat.

Jam mësuar të marr letra në shtëpinë time. Shpesh ka ofendime dhe kërcënime, për mua edhe familjen time. Është e dhimbshme dhe e frikshme. Ekziston një kufi, por, fatkeqësisht, një gjë e tillë nuk ndodh në rrjetet sociale.

Michael Oliver u desh të transferonte familjen e tij nga shtëpia pas ndeshjes në të cilën Juventusi u eliminua nga Champions League nga Real Madrid në 2018. E përsëris, gjithçka është e gabuar, por derisa ata që kontrollojnë rrjetet sociale do të vendosin të ndalojnë të gjithë këtë, do të vazhdojë kjo situatë“, përfundon Clattenberg. /abcnews.al