Shqipëria është ndër vendet më të vogla në botë, por në përpjestim me popullsinë ajo është e para në konsumin e kokainës. Kështu thotë një studim i prestigjozes “The Economist”, që e justifikon përdorimin e narkotikëve me faktin e të qenurit një vend tranzit.
Lufta ndaj drogës po hyn në një krizë të re, me kartelet e dhunshme që luftojnë për të marrë pjesën e tyre nga një industri që prodhon rreth 320 miliardë dollarë në vit. Prodhimi global dhe furnizimi me lëndë narkotike, siç është kokaina, janë në rritje dhe në botë numërohen rreth 18 milionë përdorues, në një kohë kur bota online po e bën gjithnjë e më të lehtë aksesin tek droga. Britania, Spanja, Australia dhe Shtetet e Bashkuara janë vendet ku konsumohet shumica e kokainës. Por përqindja më e lartë e përdoruesve në përpjestim me numrin e popullsisë rezulton në Shqipëri, me 2.3 për qind të banorëve që e përdorin rregullisht. Sipas “The Economist”, një kuotë e tillë shpjegohet edhe nga fakti se Shqipëria është një vend tranzit i kokainës, por edhe heroinës afgane.
Vendet e varfëra në Amerikën e Jugut, si Kolumbia, Peruja dhe Bolivia janë prodhuesit kryesorë. Sidoqoftë, Kolumbia renditet e 34-ta në listën e përdoruesve, me vetëm 0.7 për qind të popullsisë. Vendi në fjalë prodhon më shumë se gjysmën e kokainës që konsumohet në botë, rreth 60 për qind. Një kilogram kokainë që në xhunglat e Kolumbisë kushton 2 mijë e 200 dollarë, kushton 16 mijë nëse merret në Meksikë, ndërsa për të arritur në Europë çmimi shkon nga 53 deri në 55 mijë dollarë për kile. Grupet e krimit të organizuar po gjejnë gjithnjë e më shumë mënyra të reja për të transportuar sasi të mëdha kokaine, për t’u konsumuar në tregjet globale. Rrugët e vjetra të transportit të kanabisit po përdoren për të trafikuar kokainën, si për shembull Gjiri i Gjibraltarit, ku volumi i trafikut vitin e kaluar u rrit me rreth 300 për qind. Gjithashtu, narko-nëndetëset artizanale mund të transportojnë deri në 7.7 tonelata kokainë kolumbiane drejt Amerikës Qendrore dhe Meksikës. Pa anashkaluar faktin se përmes sulmeve kibernetike, trafikantët po depërtojnë në sistemet e monitorimit të autoriteteve për të shmangur zbulimin. Konfiskimet e kokainës në nivel global janë në rritje. Vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara u sekuestruan mbi 26 tonelata, në Kolumbi 13, në Brazil 2, Britani 2.1, Spanjë 8.7, në Kinë 1.2 dhe në Sri Lanka 928 kilogramë.
Por paralelisht po rritet edhe prodhimi global i drogave, që aktualisht është në nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzojnë çdo vit 40 miliardë dollarë për luftën kundër drogës, autoritetet atje arrestojnë çdo vit rreth 1 milion e gjysmë persona për krime të lidhura me drogën dhe burgosin rreth gjysmë milion prej tyre. Por ligjet e ashpra amerikane kundër narkotikëve kanë prekur kryesisht shtresat e varfëra dhe minoritetet. Edhe “toleranca zero” ndaj drogës ka dhënë pak rezultat në luftimin e vartësisë apo rasteve të mbidozës, që janë ndër më të lartat në botë e që nga viti 2012 në 2016 janë rritur nga 4.400 në 10 mijë e 400 raste. Rritja në shkallë globale e përdoruesve dhe trafikantëve ka bërë që ata t’i drejtohen dark ëeb-it për të blerë e shitur e për të ruajtur në të njëjtën kohë anonimatin, duke e futur luftën kundër drogës në një territor të paeksploruar. Me pak fjalë, është një betejë që autoritetet në të gjithë botën nuk mund ta fitojnë kurrë, shton “The Economist”./abcnews.al