Kërcënimet trembën Mike Dean, “viktima” e tij i del ne mbrojtje

schedule12:17 - 9 Shkurt, 2021

schedule 12:17 - 9 Shkurt, 2021

Ndeshja e fundjavës së kaluar mes Fulham dhe West Ham vazhdon të jetë në qendër të polemikave në Angli. Në fundin e takimit ishte gjyqtari Mike Dean që u bë protagonist, me atë karton te kuq ndaj mesfushorit të West Ham, Tomas Soucek.

Dean edhe pasi pa sërish episodin në sistemin VAR, e akordoi sërish kartonin, i cili shkaktoi aq shumë polemika. Anglezi menjëherë pas ndeshjes mori shumë kritika, madje edhe kërcënime me vdekje për të dhe familjen e tij.

Si pasojë e këtyre kërcënimeve dhe ofendimeve, gjyqtari 55-vjeçari kërkoi nga Federata Angleze e Futbollit që të mos arbitronte asnjë ndeshje këtë javë. Sapo mori vesh këtë lajm ishte pikërisht Soucek ai që reagoi, duke i dalë në mbrojtje Deanit.

“Çfarëdo lloj vendimi që merret në fushë, duhet të mbesë në fushë. Nuk më pëlqen të dëgjoj kërcënimet ndaj gjyqtarit Dean dhe i jap mbështetjen time të plotë atij dhe familjes. Nuk ka pse të ndodhë një abuzim i tillë. Ai vendim i përket të shkuarës dhe unë jam i fokusuar në pjesën tjetër të sezonit”, përfundon mesfushori çek. /abcnews.al