Këshilltari ligjor i Partisë Demokratike Gazment Bardhi nga selia blu i ka drejtuar thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të bëjnë punën e tyre, me rastin e ish-të denuarit për drejtim të organizatës kriminale Edmond Bego, i cili në shkelje të ligjit për prokurimin publik ka përfituar 14 milionë euro nga paratë publike të shqiptarëve.
Rreth 14 milionë euro nga paratë e shqiptarëve kanë shkuar në xhepat e Edmond Begos përmes tenderave të dhënë për punë në qarkun e Elbasanit dhe kjo është e mjaftueshme sipas Partisë Demokratike, që prokuroria të nisë kryesisht hetimin për të provuar nëse numri 2 i socialistëve, përfaqësues i zonës, ka qenë arsyeja e shumëfishimit të pasurisë së ish të dënuarit për trafik narkotikësh dhe drejtim të organizatës kriminale.
“Shqiptarët duhet të mësojnë sot se përfitimi i miliona eurove nga miku i dënuar për trafik droge i Taulant Ballës është bërë në kundërshtim të hapur me ligjin për prokurimin publik”.
Ky i fundit në nenin 45 të tij parashikon se autoriteti kontraktor duhet të përjashtojë nga pjesmarrja çdo kandidat kur ka të dhëna se është apo ka qënë i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për pjesmarrje në organizatë kriminale.
Ky është vendimi i Gjykatës së Lartë i shtatorit 2010 që dënon për organizim dhe drejtim të organizatës kriminale Edmond Begon.
“Ky ligj është në fuqi në Shqipëri që nga viti 2006, por nuk zbatohet për mikun e Taulant Ballës, që përfiton miliona euro nga Buxheti i Shtetit, në kundërshtim me ligjin”.
Ndaj përgjigjes që kreu i grupit paralmentar socialist dha për akuzat në fjalë, duke deklaruar se ligji është i barabartë për të gjithë, gazment bardhi i përgjigjet me pyetje.
“Si qenka ligji i njëjtë për këdo, kur ai nuk zbatohet për mikun e tij?
Kush i ka detyruar dhe ka ndërmjetësuar me organet shtetërore që t’i japin mikut të Taulant Ballës tendera dhe miliona euro nga paratë e shqiptarëve, në kundërshtim të hapur me ligjin?”
Heshtja e Taulant Ballës vërteton atë që të gjithë e kuptojnë sipas demokratëve, se është pikërisht ai personi i pushtetshëm që ka mundësuar që ish-anëtari i bandës së Lushnjes Edmond Bego të përfitojë miliona euro para të taksave të shqiptarëve, në kundërshtim të hapur me ligjin. Për këtë i drejton edhe prokurorisë dhe policisë thirrjen për t’u kthyer në krye të detyrës dhe të bëjnë punën e tyre. /abcnews.al