Manchester United nuk do ta ketë në dispozicion Paul Pogban për të paktën 2-3 javët e ardhshme. Kujtojmë që mesfushori u zëvendësua që në minutën e 39-të të pjesës së parë në ndeshjen kundër Everton nga Fred dhe ka qenë vetë trajneri Solskjaer që ka konfirmuar dëmtimin e tij.
“Është një dëmtim që do të duhen disa javë për t’u rikuperuar. Paul po punon me stafin mjekësor dhe do të përpiqemi që ai të kthehet sa më shpejt që të jetë e mundur në fushën e lojës. Sigurisht, që Pogba është shumë i rëndësishëm për ne dhe nuk duam ta rrezikojmë”, deklaron norvegjezi në një intervistë për “MUTV” ditën e sotme.
“Asnjë lojtar nuk dëshiron të dëmtohet dhe sidomos Paul tani që po rigjente formën e tij më të mirë e po shijonte futbollin si më parë. Kemi qenë shumë mirë nga pjesa e dëmtimeve për një kohë të gjatë dhe absolutisht nuk duhet të ankohemi”, përfundon Solskjaer. /abcnews.al