Ante Rebic realizoi dy nga golat e Milanit në triumfin 4-0 ndaj Crotones. Kuqezinjtë kryesojnë Serie A me një pikë mbi Interin, teksa kroati është ngjitur në kuotën e 4 golave sezonalë në kampionat.
27-vjeçari foli pas ndeshjes për Sky Sport, duke u ndalur te fitorja e sotme, gara për titullin kampion dhe Zlatan Ibrahimovic, edhe ky autor i një dygolëshi.
“Sot jam shumë i kënaqur. Shënova dy gola, por rëndësi ka që ia dolëm të merrnin fitoren. Unë u dëmtova në sfidën e fazës së parë ndaj Crotones, por tani jam i lumtur dhe shpresoj të vazhdoj kështu.
Më ka munguar fati në pjesën e parë të sezonit. U dëmtova dhe më pas u infektova me Covid-19. Tani jam rikthyer Rebici i vërtetë.
Titulli? Jemi në vend të parë dhe sot treguam që jemi një skuadër e fortë. Duhet të vazhdojmë kështu, jemi në rrugën e duhur.
Ibra është një shembull për të gjithë ne. Ai është një profesionist i madh dhe një nga futbollistët më të mirë në histori“, deklaroi sulmuesi kroat. /abcnews.al