Kukësi nuk përfitoi nga humbja e Vllaznisë. Ekipi i Josës përjetoi të njëjtin fat ndaj Kastriotit, përballjë që e humbi 0-1. Miqtë nga Kruja luajtën rreth 20 minuta me lojtarë më pak, por asgjë nuk ndodhi.
Verilindorët regjistruan disfatën e tetë sezonale dhe vendi i parë është 11 pikë larg. I mirënjohuri Sulejman Mema, kritikon hapur lojtarët e Kukësit në analizën e bërë për Supersport.
“Nuk pashë fare reagim te Kukësi, ishin futbollistë që nuk vraponin. Shpesh herë dukej se vetëm Dragoshi ishte në fushë. Ky ishte i vetmi që nuk ishte akademik, të tjerët dukeshin të tillë.
Situatë për të të ardhur keq, pasi te Kukësi ka futbollistë që janë të paguar në stratosferë. Nuk kanë zemrën e duhur. Nuk reaguan as pas daljes me të kuqe të shkallës.
Ndreu (trajneri i Kastriotit) tha më parë që kishte piktorë në ekipin e tij, jo futbollistë. Këtë herë kishte piktorë te Kukësi“, theksoi Sulejman Mema. /abcnews.al