Ndeshja e parë e raundit të 16-ave të Champions League mes Leipzig dhe Liverpool do të luhet në Budapest. Ky është lajmi i njoftuar sot nga UEFA për shkak të ndalimit të hyrjes për shtetasit britanikë në territorin e shtetit gjerman.
Arsyeja e këtij vendimi nga qeveria është për shkak të përhapjes së mutacionit të ri të virusit në Britani. Kështu, beteja mes nënkampionëve të Bundesligës dhe vendit të katërt në Premier League do të zhvillohet në “Puskas Arena” në Budapest më 16 shkurt, në orën 21:00.
Kufijtë hungarezë gjithashtu janë aktualisht të mbyllur, por bëhen përjashtime për sportistët profesionistë, siç ishte rasti në Superkupën e Europës mes Bayern Munich dhe Sevilla.
Tottenham gjithashtu kishte ofruar stadiumin e tyre për të pritur këtë ndeshje, por në fund Budapesti u vendos të jetë qyteti, që do presë duelin mes Leipzig dhe Liverpool.
Mbetet të shihet ku do të luajë si pritëse Borussia Mönchengladbach ndaj Manchester City në ndeshjen e parë të raundit të 16-ave të Champions League. /abcnews.al