Ministri i Jashtëm i Serbisë Daçiç, ka provokuar Prishtinën duke thënë se mes dy vendeve nuk ka kufinj dhe se Kosova është shtet fiktiv. Ndërsa mediat në Beograd flasin për një marrëveshje mes Putin dhe Vuçiç lidhur me Kosovën.
Zëvendëskryeministri i parë i qeverisë së Beogradit dhe njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ivica Daçiç, duke iu përgjigjur kërkesë së kryeministrit Ramush Haradinaj për demarkacionin mes vendeve, është shprehur se nuk ka kufinj mes Serbisë dhe Kosovës. “Mes Serbisë qendrore dhe Kosovës nuk ka kufi dhe nuk mund të ketë demarkim”, është shprehur Daçiç. Ministri i Jashtëm serb vijon më provokimin e tij duke pretenduar se “Kosova nuk është vend i pavarur por është shtet fiktiv”. Gjithashtu ndër të tjera përmendi edhe se Serbia ka mbështetjen e Rusisë për këtë çështje dhe sipas tij, Moska do t’i mbështesë vendimet e Beogradit.
Dhe pikërisht për këtë temë po shkruajnë edhe mediat serbe. Gazeta Novosti, thekson se “Serbia nuk do bëjë asnjë zgjidhje finale sa i përket çështjes së Republikës së Kosovës, pa përkrahjen e Rusisë dhe pa u konsultuar me shtetin rus. Kjo media shton më tej se kjo marrëveshje ndërmjet presidentit Vladimir Putin dhe Aleksandër Vuçiç, është konfirmuar edhe në takimin e diplomatëve të të dyja vendeve përkatëse të martën në Sochi.
Sipas burimeve të Novostit, muajt e ardhshëm do të jenë jashtëzakonisht vendimtar sa i përket çështjes së Kosovës. Madje raportohet se edhe disa fuqi perëndimore kanë diskutuar me Rusinë sa i përket zgjidhjes së problemit të Kosovës. Vitin e kaluar, siç shkruan gazeta serbe, Vuçiç ka marrë dhe konfirmimin se Rusia është e gatshme që t’i bashkohet dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, nëse ka ndonjë tendencë që edhe SHBA-të të futen në negociata./abcnews.al