Lirohet nga burgu Nezar Seiti. Gjykata e Katanias në Itali ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për pjesëtarin e grupit kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj. Lajmi për lirimin e Seitit është konfirmuar për ABC News nga avokati i tij në Shqipëri, Detar Hysi.
Nezar Seiti mësohet se kishte dorëzuar një kërkesë pranë Gjykatës së Katanias për rishikimin e masës së sigurisë, pasi sipas tij nuk ka prova të mjaftueshme për akuzat e ngritura ndaj tij.
Nezar Seiti u arrestua tetorin e kaluar në Vlorë, gjatë një operacioni në Babice ku u kapën 4 tonë kanabis. Ai ishte pjesë e dosjes hetimore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që po hetonte këtë grup trafiku droge mes Shqipërisë dhe Italisë të drejtuar nga Moisi Habilaj.
Nga përgjimet e kryera dyshohet se Seiti ka qenë financier i grupit kriminal, që merrej me shpërblimet dhe pagesat që kryheshin për të realizuar trafikun e narkotikeve.
Emri i Seitajt ishte në kërkim edhe nga drejtësia italiane, që po hetonte gjithashtu për këtë bandë narkotrafiku. Bazuar në urdhërarrestin e lëshuar për të nga autoritetet e Katanias, Nazer Seitaj u ekstradua drejt Italisë, në nëntor të vitit të kaluar. /abcnews.al