Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka reaguar për situatën e pandemisë në vend.
Nëpërmjet një statusi në rrjetin social “Facebook” presidenti shkruan se pandemia e Covid ka dalë jashtë kontrollit, ndërsa i referohet shifrave të raportuara duke theksuar se numri i personave të prekur është i lartë.
Meta shprehet se nuk po merret asnjë masë, ndërsa shton se duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar numrin e lartë të viktimave dhe rasteve me Covid.
“Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë. Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.
Lexo edhe: Rriten testimet, 15 viktima dhe mbi 1 mijë raste me Covid në 24 orët e fundit
Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës. Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme. Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID”, shkruan Meta.
Statusi i plotë i Presidentit Ilir Meta:
Pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit. Në 24 orët e fundit, është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër.Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura.
Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura. Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë.
Duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bëj thirrje Qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët, si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit. Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë.
Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19.
Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës. Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme. Gjithashtu, ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID”, shkruan Meta.
Kujtojmë se ditën e sotme Ministria e Shëndetësisë raportoi shifra të larta të viktimave dhe personave të prekur në 24 orët e fundit.
Sipas Ministrisë 15 pacientë nuk e fituan betejën me Covid dhe mbi 1 mijë qytetarë rezultuan të infektuar me koronavirus.
/abcnews.al/