Ish-mesfushori i Barcelonës, Ibrahim Afellay, i ka dhënë fund karrierës së tij. Lajmin e ka konfirmuar vetë holandezi në studio e “NOS Voetbal”, duke deklaruae se ky moment do të vinte herët apo vonë. Karriera e 34-vjeçarit filloi shumë vrullshëm, por është shoqëruar me dëmtime të shumta.
Në moshën 17-vjeçari ai ishte kapiteni i PSV-së dhe në vitin 2010 ndodhi kalimi i madh te Barcelona. Afellay duhej të luftonte me emra si Xavi, Iniesta, Mascherano apo Busquets. Pika kulminante e tij në Katalojnë ishte në gjysmëfinalen e vitit 2011 në Champions League kundër Real Madrid, ku dhuroi një asist shumë të rëndësishmë për Leo Messin. Në fund ishin ata që fituan trofeun më të rëndësishëm europian.
Më pas erdhi një dëmtim i rëndë për të, i cili e la jashtë fushave të lojës për 438 ditë. U huazua te Schalke 04 dhe Olympiakos, por nuk arriti më dot në formën që kishte shfaqur më parë. Gjithashtu pati një aventurë dhe tek Stoke City, por dhe kjo rezultoi e pasuksesshme dhe në vitin 2019 u rikthye sërish tek PSV-ja.
Ibrahim u bë sërish kapiten, por në fakt atë kampionat luajti në vetëm tre ndeshje. Verën e kaluar drejtuesit nuk ia rinovuan kontratën dhe si pasojë ai vendosi që të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Afellay ka luajtur dhe për kombëtaren holandeze dhe ishte pjëse e ekipit në Kupën e Botës në vitin 2010, ku arritën deri në finalen e madhe. Sot ai punon si analist për “NOS”, rol që do ta përmbushë deri në Kupën e Botës 2022. /abcnews.al