Shkarkimi i Frank Lampard nga posti i trajnerit të Chelsea, është një nga temat më të diskutuara në Angli. Të shumtë janë ata që janë befasuar nga vendimi i drejtuesve të klubit londinez. Këta të fundit zgjodhën menjëherë pasuesin, duke i besuar stolin gjermanit Thomas Tuchel.
Në këtë debat është përfshirë edhe Wayne Rooney, i cili ka luajtur disa herë me Lampard te kombëtarja angleze. Ish-sulmuesi i famshëm, trajneri i Derby County prej datës 15 janar, tregohet i drejtpërdrejtë dhe nuk i kursen thumbimet ndaj Chelsea.
“Të them të drejtën, unë nuk u habita aspak nga shkarkimi i Lampard. Chelsea kështu ka vepruar gjithmonë, kjo është mënyra e tyre e të bërit të gjërave, kështu që nuk ishte aspak surprizë për mua”, thekson 35-vjeçari për Sky Sports. Rooney nuk është aspak dakord me largimin e Lampard.
“Mendoj se Frank e meritonte të vazhdonte punën. Sezonin e kaluar bëri gjëra të mëdha me Chelsea në rrethana shumë komplekse. Ekipi ka shumë lojtarë të rinj, por duhet kohë për të ndërtuar diçka dhe për të nisur betejën për fitimin e trofeve.
Po të shohim pikët dhe renditjen, nuk mendoj se Chelsea është kaq shumë larg vendit të parë (11 pikë larg kreut). Jam i bindur që Frank e ka ditur që në fillim se te Chelsea nuk do i jepnin kohën e duhur. Drejtuesit duan trofe dhe kjo është gjë e mirë nga njëra anë.
Ama, nëse e mbush ekipin me shumë lojtarë të ardhur nga shtete të ndryshme, duhet t’i japësh me çdo kusht kohën e duhur trajnerit tënd“, përfundoi Wayne Rooney. /abcnews.al