Ukraina ndalon përdorimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit

schedule13:30 - 29 Janar, 2021

schedule 13:30 - 29 Janar, 2021

Parlamenti i Ukrainës miratoi të premten një ligj që synon të përshpejtojë aprovimin e vaksinave kundër koronavirusit, por gjithashtu ndalon aprovimin e vaksinave të bëra në Rusi.

Qeveria tha se pret të marrë 100,000 deri në 200,000 doza të vaksinave të bëra nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech, përmes skemës së njohur si COVAX.

COVAX – një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që synon shpërndarjen e vaksinave edhe në vende më të varfra – pritet të nisë operacionet në shkurt.

Në Ukrainë nuk është aprovuar ende asnjë vaksinë, por autoritetet vazhdimisht kanë thënë se Kievi nuk do të miratojë ose përdorë vaksina nga Rusia – vend me të cilin lidhjet e Ukrainës janë të tendosura.

Biolik, kompani farmaceutike ukrainase, e mbështetur nga Viktor Medvedchuk, një figurë e shquar e opozitës me prirje pro-ruse, ka thënë në fillim të këtij muaji se ka aplikuar për miratimin e shtetit, për prodhimin e vaksinës ruse kundër koronavirusit Sputnik V.

“Askush nuk do ta regjistrojë vaksinën ruse në vend”, tha ministri ukrainas i Shëndetësië, Maksym Stepanov.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë të tensionuara, prejse Rusia ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014 dhe është përfshirë në një konflikt të armatosur midis separatistëve dhe forcave pro-qeveritare në lindje të Ukrainës.

Mbi 14,000 njerëz kanë vdekur në këtë konflikt që vazhdon ende./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!