Shehi: Skënderbeu e meritoi fitoren, Gega: Kam besim tek Partizani

schedule14:51 - 18 Gusht, 2018

schedule 14:51 - 18 Gusht, 2018

Fitorja ishte e merituar për Skënderbeun. Kështu gjykon trajneri i korçarëve, Orges Shehi, ndërsa tekniku i Partizanit, Skënder Gega mbetet me besim tek ekipi i tij.

U zgjidh nga një episod, por si ishte si ndeshje? Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi, dhe ai i Partizanit, Skënder Gega, padyshim nxorrën përfundimet e tyre nga sfida e parë e Superligës, dhe pavarësisht humorit, nuk ndryshonin shumë. Tekniku durrsak i korçarëve vlerësoi jo vetëm rezultatin, fitoren 1-0, por sidomos lojën.

Orges Shehi, trajner i Skënderbeut: “Sigurisht që të vjen mirë dhe jam shumë i kënaqur jo vetëm për fitoren, por jam i kënaqur për atë që skuadra dha në fushë. Më vjen mirë sepse kemi fituar kundër një rivali direkt. Më vjen mirë edhe për faktin se vijmë pas një fitimi trofeu para një jave dhe fitorja sot është pjesë e vazhdimësisë dhe sigurisht kjo të bën që të ndjehesh mirë.”

Padyshim Gega ishte i dëshpëruar që u kthye pa pikë në Tiranë. A ia ka prerë shpresat kjo humbje trajnerit të Partizanit?

Skënder Gega, trajner i Partizanit: “Besoj tek ky ekip. Do të eci mirë, është vetëm ndeshja e parë. Sigurisht ishte një trepikësh shumë i rëndësishëm por lujtëm bashkë me një ekip që është shumë i mirë. Sot luajtëm me entuziazëm, gabuam edhe ne edhe ata. Dolëm pa pikë dhe futbolli kështu është.”

Nuk mundej që trajnerët të mos jepnin gjykimin e tyre për dhunën që thuajse shkatërroi ndeshjen.

Shehi: “Shpreh keqardhje që akoma në vitin që jemi ne ndodhin situata të tilla futbolli është një sport që i bashkon njerëzit. Futbolli është një sport që ka bashkuar klasa politike, ka bashkuar shtresa njerëzish.”

Gega: “Besoj se është ndërtuar një kulturë jo e mirë e gjithë tifozerisë tonë me sharje e ofendime. Megjithatë, s’besoj se duhet të marrim shembullin e keq të vendeve të tjera, por të marrim atë më të mirën.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!