Barcelona ia del të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Mbretit. Skuadra katalanase fitoi 1-2 me përmbysje në fushën e Rayo Vallecano, që garon në divizionin e dytë të futbollit iberik.
Pjesa e parë nuk dhuroi gola, teksa vendasit kaluan në avantazh në minutën e 63-të. Fran Garcia finalizoi një kundërsulm të shpejtë dhe festë te Rayo.
Barcelona reagoi dhe gjeti barazimin shtatë minuta më vonë. Antoine Griezmann u tregua altruist dhe dhuroi një asist për Leo Messin, me “pleshtin” që nuk e pati të vështirë të dërgojë topin në rrjetë.
Goli i fitores erdhi 10 minuta përpara fundit të takimit. Messi nisi bukur Jordi Albën në krahun e majtë, mbrojtësi dërgoi topin në zonë dhe aty përfitoi Frenkie De Jong.
Një aksion që e kemi parë shumë kohët e fundit tek ekipi katalanas. Mesfushori holandez po kryen shumë inkursione dhe sot gjeti golin e pestë sezonal. /abcnews.al