Dje Nevil Dede u largua nga Tirana në mënyrë të befasishme vetëm pak minuta para ndeshjes me Laçin dhe prej më shumë se 24 orësh kampionët në fuqi po kërkojnë për një strateg të ri. Deri tani alternativat kanë qenë të shumta, por Supersport mëson më shumë dhe saktëson me bindje trajnerin e ri të Tiranës.
Mësohet se ish-tekniku i Skënderbeut e Kukësit, Orges Shehi do të vendoset në krye të stolit të kampionëve të fuqi. Pas një takimi të gjatë të kërkuar nga drejtuesit e Tiranës, palët kanë gjetur akordin mes tyre dhe nesër pritet të zyrtarizohet gjithçka. Shehi te Tirana shkon bashkë me ndihmësin e tij, Edlir Tetova.
Sipas të njëjtit burim, vendimi për të marrë Shehin vjen për shkak të marrëdhënieve të mira të ish-portierit me drejtorin teknik të bardhebluve, Tefik Osmanin. Së fundmi Shehi punonte si analist sportiv në emisionin “Pressing” në ABC, ku ishte pjesë e vazhdueshme që nga largimi nga Kukësi në verë. /abcnews.al