Weston McKennie është zbulimi i sezonit te Juventusit, që e huazoi mesfushorin nga Schalke 04, kurse te Roma ka një çështje Edin Dzeko. Në Itali raportojnë se ditën e sotme agjenti i boshnjakut, Tullio Tinti, ishte në Trigoria për të bërë të mundur largimin e klientit të tij nga kryeqytetasit.
Kujtojmë që marrëdhënia mes ish-kapitenit dhe trajnerit Fonseca është prishur dhe nuk ka asnjë mundësi që ajo të rregullohet. Sipas “Calciomercato.com”, është klubi i West Ham që ka bërë një ofertë për Dzekon, por ky i fundit nuk ka pranuar. Megjithatë, 34-vjeçari kërkon me ngulm të largohet nga romakët para përfundimit të merkatos së janarit.
Ndërkohë, nga ana tjetër me shumë mundësi Juventus do të blejë përfundimisht kartonin e Weston McKenniet. Amerikani i huazuar nga Schalke 04 do të jetë i bardhezinjve nëse ata kualifikohen në Champions League sezonin e ardhshëm, pasi ky kusht ishte thelbësor kur ai kaloi në verë në Torino.
“Zonja e Vjetër” përpos këtij kushti e dëshiron lojtarin, falë paraqitjeve pozitive që ai ka bërë. Operacioni pritet të kushtojë 18.5 milionë euro, por totali mund të kapë shifrën e 30 milionë eurove me bonuset e përfshira. McKennie është përshtatur mjaft mirë me futbollin italian dhe deri më tani ka shënuar katër gola në 21 ndeshje në të gjithë kompeticionet. /abcnews.al