Djali i inxhinierit Rikardo Morandi që ndërtoi urën e Xhenovës në vitet ’60 ka deklaruar se babai i tij nuk ka asnjë faj për shembjen e saj. Në një intervistë për “La Republika”, Morandi i ri ka theksuar se shkak për tragjedinë janë bërë ndërhyrjet pa kriter për mirëmbajtjen e strukturës.
Mauricio Morandi, i biri i inxhinierit që ndërtoi urën e Xhenovës në vitet ’60, ka deklaruar se tragjedia e së martës erdhi si pasojë e ndërhyrjeve të bëra në dhjetëvjeçarët e fundit. Në një intervistë për “La Repubblica”, profesori i urbanistikës në Universitetin e Firences ka vlerësuar se ndërhyrjet janë bërë pa marrë parasysh kriteret e vendosura në projektin e të atit.
“Ndërhyrjet për mirëmbajtjen nuk kanë lidhje me projektin e Rikardo Morandit. Pas ndërtimit ura ka qenë e monitoruar për flukset e trafikut, që në ditët e sotme ka ndryshuar”, ka thënë Morandi i ri.
Eksperti i urbanistikës ka mbrojtur projektin e viteve ’60 dhe ka theksuar se, asokohe ura ishte një vepër shumë e rëndësishme dhe në pararojë me të tjerat.
“Sot, familja jonë është shumë e tronditur, së pari si qytetarë. I bashkohemi dhimbjes së familjeve të viktimave”, ka shtuar djali i inxhinierit. Rikardo Morandi lindi në Romë në shtator 1902 dhe u diplomua në 25 vjet më vonë. Asokohe ai pati një eksperiencë pune në Kalabri, ku u kujdes për forcimin e godinave të dëmtuara nga tërmeti. Kur u kthye në kryeqytet ai hapi studion e tij dhe përgatiti projektet për shumë vepra infrastrukturore, mes të cilave edhe aeroporti Fiumiçino, në vitin 1970. Sidoqoftë, ai fitoi famë për ndërtimin e urave dhe eksperienca e tij u kërkua në shumë vende të botës si Afrikë e Jugut, Libi, Kolumbi, Ekuador dhe Venezuelë./abcnews.al