Rraman Hallaçi, trajneri i Kukësit, pas ndeshjes së fituar me Apoloninë në Fier, në lidhjen direkte me emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh: “Ishte normale të kishim vështirësi, e dinim. Apolonia ka lojtarë të rinj, por duhet kujdes. Ata vrapojnë dhe kanë ritëm. Vinim nga rezultate jo të mira dhe ishim të ngarkuar. E prisnim kthesën.
Me Vllazninë edhe një pikë mjaftonte. Sot kemi bërë mirë në fushë, por edhe vuajtëm pak nga presioni i rezultatit. Normalisht kemi gjëra për të korrigjuar. Skuadra është e re, jemi ndërtuar në fillim të sezonit. Akoma nuk kemi dalë nga kriza. Shpresojmë të vazhdojmë me rezultate pozitive”.
“Kur jemi në sulm duhet të kthehemi, gjë që ka ndodhur herë pas herë. E kemi vuajtur kthimin e shpejtë Kur humbet topi duhet të tërhiqemi. Po i rregullojmë gjërat gradualisht. Po presim disa lojtarë cilësorë, që na duhen shumë. Më pëlqen që skuadra i kupton drejt kërkesat. Jemi në rrugën e duhur. Sot edhe Peposhi bëri një ndeshje të mirë. Shpresoj që edhe të tjerët nga U21 të vijnë nga ekipi i parë”.
“Zërat për largim? Nuk më vjen mirë kur dëgjojmë lajme të tilla. Ata që shkruajnë duhet të flasin me drejtuesit. Më lëndojnë gjëra të tilla, por nuk më dobësojnë. Unë isha në stërvitje në ato momente. Duhet të pyesin drejtuesit kur shkruajnë lajme të tilla”. /abcnews.al