Reali nuk e ka ndjerë mungesën e Ronaldos

schedule16:43 - 12 Gusht, 2018

schedule 16:43 - 12 Gusht, 2018

Reali i Madridit nuk e kaloi keq verën e parë pa Kristiano Ronaldo. Kampionët e Europës i kanë zëvendësuar golat e portugezit, me rrjetat e realizuara nga sulmuesit e tjerë.

Në katër ndeshje mund të nxirret një përfundim, qoftë edhe me kujdes të madh. Realit nuk i shkoi keq vera e parë pa Kristiano Ronaldon, pavarësisht humbjes së miqësores së parë ndaj Mançester Junajtidit. Formacioni i trajnerit Hulen Lopetegi, kampion i Europës në fuqi, fitoi tri të tjera radhazi, ndërsa në total arriti të shënonte 9 rrjeta, aspak keq duke pasur parasysh fortësinë e rivalëve.

Përveç Junajtidit, sfidat ishin ndaj Juventusit, Romës e Milanit. Frika më e madhe e analistëve dhe e vetë drejtuesve madrilenë ishte mungesa e gati 50 golave sezonalë të CR7-ës, që tashmë është tek Juvja. Për fat, deri tani, po “përgjigjen” të tjerët, me Bejlin e Asension me nga 3 realizime, Benzemanë dy dhe Majoralin një, që të gjithë lojtarë të sulmit.

Bie sidomos në dy bashkëpunimi shumë i mirë Bejl-Benzema, lojtarë që nuk ishin në Botëror, një lajm i mirë ky për Realin.
Për më tepër, Lopetegi ka mundësi për të ndryshuar lojtarët në fushë dhe skemat, diçka vendimtare në një sezon që pritet të jetë tepër i vështirë, qoftë në Spanjë, qoftë edhe në Europë, dhe me rivalitet të madh nga Barcelona, Paris SG, Juventusi, Bajerni, Liverpuli apo Mançester Siti, sa për të përmendur vetëm disa nga rivalët. Gjatë verës u provuan edhe Sebajos, Naço, Odriozola, Jorente, Vinisius, ndërsa në portë do të jetë dueli Kejlor Navas-Kurtua./abcnews.al