Shuhet fituesi i çmimit Nobel “Sir” Vidiadhar Naipaul

schedule16:39 - 12 Gusht, 2018

schedule 16:39 - 12 Gusht, 2018

Letërsia botërore ka humbur një nga zërat më të famshëm të saj. Vidiadhar Naipaul, fitues i çmimit Nobel, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare. Mjeshtrit e letrave nga e gjithë bota i kanë shprehur ngushëllimet familjarëve të tij.

Shkrimtari Vidiadhar Naipaul, fitues i çmimit Nobel për letërsinë, ka ndërruar jetë në moshën 85-vjeçare. Naipaul, që mbante dhe titullin “Sir”, ka shkruar mbi 30 libra, mes të cilëve spikasin “Një përkulje në lum” dhe kryevepra “Një shtëpi për zotin Bisvas”. Lindur në një zonë rurale në Trinidad në vitin 1932, Naipaul ishte njohur që në fëmijëri me veprat e Shakspeare dhe Dickens, të cilat i ati ia lexonte rregullisht. Në moshën 18-vjeçare u transferua në Britani dhe falë një burse hyri në Universitetin e Oksfordit.

Si student ai luftoi gjatë me depresionin dhe një herë tentoi t’i jepte fund jetës së tij. Libri i tij i parë, “Masazhisti mistik” u publikua në vitin 1957 dhe u kthye në film në vitin 2001. Në 1961-shin ai publikoi novelën e tij më të vlerësuar, “Një shtëpi për zotin Bisvas”, për të cilën iu deshën 3 vjet për ta shkruar. Duke njoftuar ndarjen nga jeta, bashkëshortja e tij e quajti shkrimtarin një “gjigant që ka arritur gjithçka”.

Ajo tha se Naipaul u shua në shtëpinë e tij në Londër, i rrethuar nga njerëzit e dashur. Shkrimtarë të shumtë, disa prej të cilëve kanë patur edhe përplasje me të ndjerin, nxituan të shprehin ngushëllimet. Shkrimtari amerikan i udhëtimeve, Paul Theroux, që për 15 vjet është përplasur me “Sir” Naipaul, u shpreh se vdekja e tij lë një boshllëk të madh në trashëgiminë e letërsisë britanike. Ndërsa Salman Rushdie, një tjetër rival i të ndjerit, tha se pavarësisht polemikave që kishte patur me të ndihej sikur kishte humbur vëllain e madh e të dashur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!