Parma renditet në vend të parafundit në Serie A dhe rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Ecuria negative në kampionat ka detyruar drejtuesit e klubit të përforcohen në merkaton e dimrit.
Andrea Conti pritet të jetë përforcimi i parë. Parma ka arritur akordin me Milanin për huazimin e mbrojtësit të djathtë deri në fund të sezonit. Nëse 26-vjeçari bind me paraqitjet e tij, Parma mund të blejë kartonin për 7 milion euro.
Por jo vetëm Conti. Klubi emilian po tenton përforcime edhe te Bayern Munchen. Gazzetta di Parma raporton se i preferuari është Joshua Zirkzee, sulmuesi i talentuar 19-vjeçar.
Parma po e kërkon në huazim lojtarin holandez, i cili e ka të vështirë të përfitojë minuta te kampionët e Gjermanisë dhe të Evropës prej konkurrencës së madhe. Bisedimet kanë nisur dhe janë në rrugë të mbarë. /abcnews.al