Një 34-vjeçar nga Kosova, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane për trafikim të lëndëve narkotike, është kapur në pikën kufitare të Morinës.
Policia Kufitare Morinë, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, e ka ndaluar shtetasin 34 vjeç, banues në Ferizaj, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në hyrje të territorit të Republikës së Shqipërisë.
Sipas Policisë, nga verifikimi i të dhënave dhe informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën rezultoi se 34-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet gjermane.
Gjykata e Wiesbadenit në Gjermani i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, sipas legjislacionit penal gjerman.
Pas arrestimit me qëllim ekstradimin, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, vijon procedurat për ekstradimin e 34-vjeçarit.

