Opozita në Kosovë, por dhe monitoruesit e dialogut Prishtinë-Beograd, kundërshtojnë hapur idenë e presidentit të Kosovës për korrigjm kufijsh, duke paralajmëruar se një gjë e tillë është e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën, por dhe për Ballkanin.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është duke kërkuar që në kuadër të fazës finale të dialogut me Serbinë të diskutohet për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, tashmë ka filluar të flasë për ndarjen e pjesës veriore të Kosovës. Sipas opozitës kosovare dhe monitoruesve të dialogut, ideja e Thaçit për korrigjim të kufijve është në të njëjtën linjë me politikën e Serbisë për ndarje të Kosovës.
Paralajmërimi i Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në kuadër të dialogut të Brukselit do të kërkojë korrigjimin e kufijve, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, është pasuar me një kundërpërgjigje të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili hapur ka shfaqur ambiciet e Serbisë për të marrë Veriun e Kosovës.
Pavarësisht se Thaçi në vazhdimësi premton se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, Vuçiç në deklaratën e tij të fundit ka paralajmëruar ndarje të serbëve të Kosovës nga shqiptarët. Monitoruesit e procesit të dialogut vlerësojnë se idetë për shkëmbim territoresh ose korrigjim kufijsh janë të rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por për tërë Ballkanin.
Sipas tyre, një gjë e tillë do të bënte që edhe shqiptarët e Maqedonisë të kërkonin një ndarje të tillë e po ashtu edhe serbët e kroatët që jetojnë në Bosnjë. /abcnews.al